Koha e mashtrimeve dhe intrigave duhet të marrë fund një here e përgjithmonë!

Shkruan: Skënder ShEHU

Zgjedhjet e 9 shkurtit shënuan një moment të rëndësishëm për skenën politike të Kosovës, duke i dhënë Lëvizjes Vetëvendosje mandatin për të udhëhequr vendin. Kjo fitore, megjithatë, nuk duhet të interpretohet si një leje për të vazhduar me retorikë propagandistike apo me qasje përçarëse ndaj opozitës dhe proceseve demokratike të vendit.

Në vend që të tregojë pjekuri politike dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve që i dhanë besimin, LVV-ja ka zgjedhur shpesh të manipulojë diskursin publik, duke e paraqitur veten si viktimë dhe duke hedhur fajin mbi opozitën për çdo vonesë në konstituivin e institucioneve. Kjo qasje është e papranueshme dhe fyen inteligjencën e qytetarëve të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, si forca më e madhe parlamentare, ka për detyrë të jetë e sinqertë me votuesit e saj, e përgjegjshme në diskurs dhe konstruktive në ndërtimin e institucioneve të vendit. Përpjekjet për të fajësuar të tjerët për dështimet në formimin e qeverisë, janë justifikime të vjetra, që ngjasojnë më shumë me përrallat e Nastradin Hoxhës se sa me veprime të një subjekti të pjekur politik.

Kosova ka nevojë për stabilitet institucional, për bashkëpunim ndërpartiak dhe për një klasë politike që vendos interesin e qytetarëve mbi interesin e ngushtë partiak. Të luash rolin e viktimës në vend të marrjes së përgjegjësisë është shenjë e mungesës së vizionit dhe pjekurisë politike.

Është koha që LVV të lërë mënjanë propagandën e sajë mashtruese dhe viktimizuese dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të gjetur partnerin e saj në krijimin e institucioneve të reja. Çdo tentativë për ta zvarritur këtë proces me taktika të njohura mashtruese është në dëm të drejtpërdrejtë të interesit të popullit të Kosovës.


Go to TOP