Dembele: Dija të kthehesha në shtëpi e të shikoja televizion – kjo më kushtoi
Futbollisti i njohur Ousmane Dembele me PSG-në fitoi gjithçka që mund të fitonte dhe qershia mbi tortë ishte Liga e Kampionëve kundër Interit.
Me performancat e tij sezonin e kaluar, francezi e vendosi veten si një nga kandidatët kryesorë për Topin e Artë.
Në një intervistë për France Football, ai foli për kohën e tij në Barcelonë, problemet me lëndimet dhe ndryshimet e mëdha në qasjen e tij profesionale që shënuan vitet e fundit të karrierës.
“Dija të kthehesha në shtëpi, të luaja dhe të shikoja pak televizor. Isha më i ri, gjë që është krejtësisht normale. Por në fund paguan një çmim të lartë për këtë, dhe unë e ndjeva veçanërisht në Barcelonë”, tha Dembélé.
Ai nuk ishte në formën e tij më të mirë në Barcelonë për shkak të problemeve.
Anësori francez mbërriti në Barcelonë në vitin 2017 nga Borussia Dortmund, me të cilën fitoi Kupën e Gjermanisë. Katalanasit paguan 135 milionë euro, por për gjashtë vjet ai bëri vetëm 185 paraqitje dhe shënoi 40 gola.
Ai fitoi tre tituj, por për shkak të lëndimeve, Dembele ka munguar 799 ditë, që do të thotë se ka humbur 141 ndeshje për Barcelonën dhe ekipin kombëtar francez.
“Mësova shumë nga e gjithë kjo, gjë që më ndihmoi shumë. E njoh trupin tim shumë më mirë tani, prandaj lëndohem më rrallë. E di kur ndihem mirë, por edhe kur duhet të ngadalësoj dhe të rregulloj stërvitjen time”, tha Dembele.
Në verën e vitit 2023, ai u transferua te PSG për 50 milionë euro, me kontratë deri në vitin 2028 dhe këtë sezon fitoi Ligën e Kampionëve.
“Tani jam pak më profesionist. Tani edhe në ditët e mia të lira shkoj në kampin stërvitor për t’u rikuperuar dhe punuar me fizioterapi”, tha francezi 28-vjeçar.
Në dy sezone te skuadra parisiene, Dembele bëri 91 paraqitje dhe shënoi 39 gola. Vlera e tij në treg është 90 milionë euro.
