Gjermania, Britania e Franca gati për bisedime bërthamore me Iranin
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul deklaroi sot se Gjermania, së bashku me Britaninë e Madhe dhe Francën janë gati të fillojnë negociata të menjëhershme me Iranin mbi programin e tij bërthamor në një përpjekje për të lehtësuar tensionet në Lindjen e Mesme.
“Gjermania, së bashku me Francën dhe Britaninë, janë gati. Po i ofrojmë Iranit negociata të menjëhershme në lidhje me programin bërthamor, shpresoj që (oferta) të pranohet”, tha Wadephul për transmetuesin publik ARD.
Ai tha se negociata të tilla janë një parakusht kyç për uljen e tensionit të konfliktit dhe për të siguruar që Irani të mos paraqesë kërcënim për rajonin, Izraelin apo Evropën.
Wadephul deklaroi se beson që Izraeli nuk ka ndërmend të përmbysë administratën e Teheranit, duke shtuar se çështja kryesore është parandalimi i armatimit bërthamor që mund të kërcënojë si Izraelin ashtu edhe Gjermaninë, dhe vuri në dukje se Irani tashmë kishte humbur një mundësi të hershme për dialog, transmeton Anadollu.
I pyetur për politikën e brendshme të Izraelit dhe qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu, ministri Wadephul e quajti atë një çështje të brendshme, duke thënë se fokusi i tij është në lehtësimin e vuajtjeve në Gaza.
