​Euro të falsifikuara në veri

Autoritetet policore në Zubin Potok janë duke hetuar dy raste të ndara, të ndodhura në periudhën 11-14 qershor, që lidhen me përdorimin e mundshëm të kartëmonedhave të falsifikuara në pompa derivatesh.

Rasti i parë është raportuar më 11 qershor, ku një punonjës i një pompe derivatesh ka njoftuar policinë për një kartëmonedhë 100 euro të dyshuar si e falsifikuar, e lëshuar nga një person i panjohur gjatë pagesës.

Policia ka sekuestruar kartëmonedhën për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa për rastin është informuar edhe prokurori. Hetimet janë në zhvillim.

Rasti i dytë ka ndodhur më 14 qershor, ku është arrestuar një shtetas boshnjak me nënshtetësi serbe. I dyshuari duke drejtuar një veturë me targa të Serbisë, dyshohet se ka tentuar të paguajë për furnizimin me derivate me një kartëmonedhë 100 euro të dyshuar si e falsifikuar.

Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar kartëmonedhën dhe pas intervistimit, në konsultim me prokurorin, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Edhe ky rast është në proces hetimi.

Go to TOP