Rexhaj: Në Prizren sundon korrupsioni – ndryshimi i vërtetë po vjen me Vetëvendosjen
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në Prizren duke akuzuar qeverisjen lokale për përçarje të brendshme dhe mungesë të ideve për zhvillimin e qytetit. Sipas tij, pushtetarët aktualë nuk po përplasen për vizion apo programe konkrete, por për interesa të ngushta personale.
“Rrihen mes vete, sigurisht jo për ide e programe për zhvillim të Prizrenit. Korrupsion fund e krye në çdo cep institucional,” ka deklaruar Rexhaj në një postim të drejtpërdrejtë dhe kritik. Ai ka vënë në pah, sipas tij, degradimin total të institucioneve lokale dhe mungesën e llogaridhënies, ndërkohë që të njëjtit politikanë tash kërkojnë edhe katër vite të tjera në qeverisje.
“Jo zotëri, ndryshimi i përnjëmend po vjen. Shko në qoshe sepse tash VETËVENDOSJE po vjen!”, ka përfunduar ai duke paralajmëruar një mobilizim të VV-së për të marrë drejtimin e Prizrenit në zgjedhjet e ardhshme lokale. /Kosova.info/
