Evropiani i Shahut në Kosovë, Prishtina pret 500 shahistë
Kampionati Evropian i Shahut do të mbahet në Kosovë nga 27 nëntori deri më 1 dhjetor 2025, me pjesëmarrjen e rreth 500 shahistëve nga e gjithë Evropa. Organizimi iu besua Kosovës përballë Varshavës, pas vendimit të marrë në janar nga Bordi i Federatës Evropiane të Shahut në Monako.
Kryetari i Federatës së Shahut, Armend Budima, në një intervistë për KosovaPress, ka bërë të ditur se rivaliteti nga Polonia për ta organizuar këtë kampionat ishte shumë serioz, por që Kosova fitoi pas shumë bisedave me drejtuesit e Federatës Evropiane të Shahut.
Evropiani i Shahut sjellë në Kosovë rreth 500 shahistë nga Evropa
“Në garë kemi qenë ne, Kosova, si dhe Varshava dhe vendimi për ne është marrë në mbledhjen e Kuvendit ose Bordit të ISU-së, e cila është mbajtur në Monako në fillim të janarit dhe prej asaj kohe ne vetëm e kemi vendimin për organizimin e kësaj ngjarje të madhe ndërkombëtare që po mbahet, ku ne presim që të jenë pjesëmarrës diku rreth katërqind deri pesëqind shahistë nga mbarë Evropa”, tha Budima.
Federata e Shahut e Kosovës është përgatitur për infrastrukturën dhe akomodimin, duke marrë miratimin nga Komisioni i Unionit Evropian të Shahut, megjithëse mund të nevojitet një sallë shtesë për numër më të madh pjesëmarrësish.
Jemi gati për sallën e ndeshjeve dhe akomodimin e shahistëve
“Në fundin e muajit prill e kemi pasur Komisionin e Unionit Evropian, i cili i shikon hapësirat, a janë adekuate dhe a i përmbushin standardet e përcaktuara sipas rregulloreve që janë në Unionin evropian dhe ata na kanë dhënë dritën e gjelbër, domethënë të gjitha të gjitha infrastruktura e hotelit i plotëson kushtet të cilat janë të parapara. Ne po parashohim që nëse numri i shahistëve do të rritet, atëherë neve do të na nevojitet edhe një sallë ekstra brenda hotelit në mënyrë që t’i akomodojmë të gjithë shahistët”, tha Budima.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 150 mijë euro për këtë aktivitet, që mbulon 90 për qind të kostove, ndërsa priten edhe rreth 50 mijë euro nga sponsorët. Synimi është të ftohet edhe kampioni botëror Magnus Carlsen, edhe pse ai zakonisht merr pjesë vetëm në kampionate botërore.
MKRS na ka mbështetur me 150 mijë euro, por na duhen më shumë
“Për këtë ngjarje sportive, ne vetëm se në fund të janarit e kemi nënshkruar memorandumin me Departamentin e Sportit ose me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, e cila do ta përkrahë këtë ngjarje me vlerë prej njëqind e pesëdhjetë mijë eurove. Ne mendojmë që kjo do ta mbulojë diku nëntëdhjetë për qind të organizimit, por shpresojmë që diku edhe rreth pesëdhjetë mijë euro t’i sigurojmë nga sponsorët që do të jenë në këtë garë. Përndryshe, synimi jonë është që ta sjellim për herë të parë në Kosovë kampionin botëror Magnus Carsten, i cili asnjëherë nuk merr pjesë në kampionatet evropiane, për shkak të arsyes se ai merr pjesë vetëm në kampionatet botërore, ku është kampion i shumëfishtë”, tha Budima.
Budima theksoi edhe nevojën për një lokacion të përhershëm të federatës që sipas tij, do të ndihmonte organizimin e ngjarjeve të tilla.
Kemi nevojë për një lokacion të dedikuar për aktivitete e federatës sonë
“Ne e kemi problemin kryesor si Federatë e Shahut, për arsye se nuk kemi lokacion tonin, nuk kemi lokale, në mënyrë që ta zhvillojmë ta rrisim aktivitetin, numrin e të punësuarve në administratë, organizime më të mëdha, sepse për organizime të tilla nevojitet staf më i madh që i përkrah këto organizime të tilla”, tha Budima.
Por cilat janë benefitet që sjellë marrja me sportin e shahut sipas kryetarit të kësaj federate.
Sporti i shahut sjell shumë benefite
“Shahu ka shumë përparësi, domethënë shahu e zhvillon mendjen te fëmijët, domethënë fëmijët e rrisin përqendrimin, vendimet i marrin në mënyrën më të matur, domethënë, i ndihmon në mësim dhe domethënë në mësim, janë më të përqendruar. Gjithashtu, shahu ndihmon fëmijët që të socializohen më shumë, se është sport individual, luajnë bashkërisht. Kështu që, përveç anës që fizike, shahu është më shumë e zhvillon anën mendore. Këto janë benefitet e shahistëve”, tha Budima.
Sa i përket garave vendore, Budima ka bërë të ditur se federata po organizon kampionatin e njohur si Superliga e Kosovës, derisa qëllimi kryesor është edhe shtrirja e sportit të shahut te gjinia femërore pasi interesimi i tyre për momentin është shumë i vogël.
