Rasti Banjska, Dushi: U sulmua edhe automjeti që transportonte rreshterin
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi për rastin “Banjska”. Seanca e së premtes po vazhdon me dëshminë e zyrtarit policor, Sedat Dushi.
“Dritën e parë e kam thye me një plumb, ndërsa të dytën me plumbin e dytë, e kisha armën drejtuar në qiell e kam vërejtur një dritë të kuqe, që ishte fluturake apo dron si i thonë, e kam marrë në shënjestur dy-tre rafalle, është tërhequr në drejtim të manastirit.
Çdoherë nën breshëri të plumbave është goditur edhe automjeti që transportonte rreshterin, e kam dëgjuar edhe ajrin e gomës kur është shpërthyer por ata kanë vazhduar drejt emergjencës. Ne të tjerët kemi vazhduar me të shtëna…”, ka thënë Dushi.
Tutje gjatë dëshmisë së tij, Dushi ka treguar momentin kur e ka marrë lajmin për vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku përmes radiolidhjes.
“Pas lajmit kur e ka komuniku Elezi përmës radiolidhjes kur thotë se e humbëm kolegun me keqardhje, derisa unë isha duke e transportuar kolegun Albanin, aty e kam ndjerë vetën të thyer, kur kam arritur ne spital kam qenë në gjendje të rëndë, por gjithëherë me shpresë se rreshteri është ende gjallë, pastaj edhe mjeku e ka konfirmuar vdekjen. Kam rënë në gjunj, duke kapur kokën dhe më nuk mbaj mend…pastaj e kam parë vetën të shtrirë në një krevat të Emergjencës”, tha ai.
Tutje dëshmitari tregoi për trajtimin mjekësor që ka marrë.
“Kam pas seanca të shumta me psikolog dhe psikiatër dhe pas ekzaminimeve të bëra nga mjekët dhe raportet e tyre, ka dalë se unë kam pasur trauma, dhe pengesa në të dëgjuar. Këtë e vëreja kur gruaja dhe fëmijët më kërkonin diçka. Vajza më thoshte babi s’po dëgjon”, ka deklaruar dëshmitari.
Rasti Banjska, Shala: Gjatë tërheqjes së rreshterit jemi sulmuar me granata
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi për rastin “Banjska”. Në seancën e sotme para trupit gjykues do të dëshmojnë dy dëshmitarë, zyrtarët policorë Fahri Shala dhe Sedat Dushi.
“Kur e kemi tërheq rreshterin (Afrim Bunjaku) kanë shfrytëzua situatën dhe kanë gjuajt me granatë dore. E kam të dëmtuar timpanin e veshit në anën e djathtë…Me datën 23 kemi qenë në ndërrimin e natës, unë për një kohë të gjatë kam qenë zëvendës i rreshterit. Kemi patrullua bashkë. Pasi rreshteri kishte disa detyra administrative jemi kthye në stacion policor ne Z veçan, kemi ë pauze dhe nga aty kam fillua patrullimin me kolegun Elez Peci. Prapë jemi kthye në stacion dhe përmes dhomës komanduese kemi marrë informatë se një njësi e ka vërejtur se ura është bllokuar prej dy kamionëve. Rreshteri na ka caktu unë me Elez Peci dhe Sedat Dushi të shkojmë. Rreshter Afrimi ka qenë në automjet me Elez Pecin kurse unë me Sedat Dushi”, dëshmon Shala.
Ai shtoi se një dallim që e kenë vërejtur në fshat ishte se shtëpitë nuk kanë pasur drita të ndezura ndërsa ka pasur shtyllë që i ka pasur dy drita.
“Kemi dëgjua një shpërthim, detonim shumë i madh, pa u ndërpre zhurma e detonimit kanë filluar të shtëna të na sulmojnë në drejtimin tonin, dhe nga aty unë kam filluar t’ju kundërvihem me armën time zyrtare”, ka dëshmuar polici Fahri Shala.
“Nuk i shihja koleget ju thosha a jeni mire se nuk e vërejtsha çka ka ndodhe… Nuk më është përgjigje askush. Kam shkua te kamioni mbrapa e kom vërejt një metër e gjysme ka qenë një koleg i shtritë ishte i krysur nuk mujsha me identifikua e kom thirrë ‘koleg koleg’ po nuk është përgjigj. Kom shkua e kom kap me e pa a ka puls nga gjuajtjet e krismat nuk kam mujt me kuptua”, ka vazhduar dëshmitari.
Shala para trupit gjykues tha se mbrapa këtij grupi terrorist ka qenë një njeri, Milan Radojçiq. Në fund të dëshmisë ai tha se shpreson që ky grup terrorist të marrë dënimin e merituar.
