Shumë vende botërore reagojnë ndaj sulmeve të Izraelit mbi Iranin

Shtetet e ndryshme të botës kanë reaguar ndaj sulmeve të Izraelit ndaj Iranit, ku disa kanë shprehur shqetësim të thellë dhe të tjerë i kanë dënuar hapur veprimet e Izraelit, raporton CNN.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA nuk ishte e përfshirë në sulmet e Izraelit, duke shtuar se “prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e forcave amerikane në rajon.”

Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite tha se “agresioni i hapur izraelit” minon “sovranitetin dhe sigurinë e Iranit dhe përbën një shkelje të qartë të ligjeve dhe normave ndërkombëtare.”

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, tha se sulmet e Izraelit “goditën të gjitha përpjekjet dhe iniciativat për stabilitet në rajon.” Kryeministri Nawaf Salam e quajti sulmin një “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit iranian.”

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Indisë tha se vendi po “ndjek nga afër situatën në zhvillim, përfshirë raportimet për sulme në objektet bërthamore,” dhe u bëri thirrje të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin. Ai theksoi se India ka marrëdhënie “të afërta dhe miqësore” me të dyja vendet, Izraelin dhe Iranin.

Sulltanati i Omanit e quajti sulmin “një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një shkelje të hapur të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare.”

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha: “Stabiliteti në Lindjen e Mesme duhet të jetë prioritet dhe ne po angazhohemi me partnerët për të de-përshkallëzuar situatën.”

Ministria e Jashtme e Pakistanit e dënoi sulmin e Izraelit, duke thënë se ai “bie ndesh qartë me Kartën e OKB-së dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.” Ministria shtoi: “Pakistani qëndron në solidaritet të palëkundur me popullin e Iranit.”

Ministria e Jashtme e Katarit i quajti sulmet një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të “ndalojë këto shkelje izraelite.”

Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së të “marrë masa urgjente dhe të nevojshme për të arritur një armëpushim.”

Ambasada kineze në Iran e quajti situatën “të rëndë dhe komplekse,” duke i bërë thirrje qytetarëve kinezë në vend të marrin masa shtesë sigurie.

Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, paralajmëroi se “rreziku i një gabimi përllogaritës është i lartë.”

Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, tha se Canberra ishte “e alarmuar” nga përshkallëzimi. Ajo u bëri thirrje të gjitha palëve që të prioritizojnë dialogun dhe diplomacinë, duke thënë: “Kjo rrezikon të destabilizojë më tej një rajon tashmë të paqëndrueshëm.”

Go to TOP