Vendoset gurthemeli i kanalit kullues në Godanc
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka vazhduar me investimet në infrastrukturën rurale duke vendosur gurthemelin për fazën e dytë të kanalit kullues në fshatin Godanc të Komunës së Shtimes. Ky projekt përfaqëson një investim të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të bujqësisë në këtë zonë dhe për parandalimin e përmbytjeve të tokave bujqësore.
Kjo ndërhyrje do të ndihmojë fermerët lokalë të kenë qasje më të mirë në tokat e tyre, të përmirësojnë prodhimtarinë bujqësore dhe të minimizojnë dëmet nga ujërat e tepërta, të cilat shpeshherë kanë shkaktuar humbje të mëdha.
Përmes këtij investimi, Ministria po vazhdon angazhimin e saj për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe për të krijuar kushte më të mira jetese në zonat rurale. Faza e dytë e këtij kanali është pjesë e një projekti më të gjerë për rehabilitimin dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve kulluese nëpër komunat me potencial të lartë bujqësor. /Kosova.info/
