Zëri i Kosovës dëgjohet në Japoni – Presidentja Osmani promovon kulturën, ekonominë dhe vizionin strategjik
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova është zë i rinisë, qëndresës, inovacionit, kulturës dhe vlerave që nuk zbehen me kohë. Ajo theksoi se ky zë u dëgjua sot në zemër të Japonisë, ku po qëndron me një delegacion nga Kosova.
“Së bashku me një delegacion biznesor nga Kosova, si dhe me përfaqësuesit e Filarmonisë së Kosovës, e sollëm para botës jo vetëm identitetin tonë kulturor dhe ekonomik, por edhe vizionin tonë strategjik për zhvillim të qëndrueshëm, bashkëpunim ndërkombëtar dhe forcim të partneriteteve me shtetet mike,” ka shkruar Presidentja Osmani.
Kjo vizitë në Japoni është pjesë e përpjekjeve për të rritur prezencën ndërkombëtare të Kosovës dhe për të forcuar lidhjet me vendet mike në fushat e kulturës, ekonomisë dhe diplomacisë. Prezantimi i Filarmonisë së Kosovës, krahas bashkëpunimit me komunitetin biznesor, u cilësua si një moment i rëndësishëm në promovimin e imazhit dhe potencialit të Kosovës në skenën globale. /Kosova.info/
