VV zyrtarizon Valon Prebrezën kandidat për kryetar të Fushë Kosovës
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka zyrtarizuar Valon Prebrezën si kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës duke e cilësuar atë si njeriun që do të sjellë ndryshimin e shumëpritur për qytetarët e kësaj komune.
Në një tubim të mbajtur sot në Fushë Kosovë, në prani të kryeministrit Albin Kurti, sekretarit organizativ Arban Abrashi, koordinatorit të qendrave Dimal Basha, deputetit Fitim Zyba dhe kryetarit të Qendrës së VV-së në këtë komunë, Shpend Bardiqi, u konfirmua zyrtarisht kandidatura e Prebrezës.
“Me Valon Prebrezën i futemi fuqishëm betejës për ta realizuar ndryshimin në nivelin lokal që aq shumë u duhet banorëve të Fushë Kosovës”, thuhet në komunikatën e VV-së.
Lëvizja thekson se përballë “katrahurës së madhe të shkaktuar nga keqqeverisja e deritanishme lokale”, po ofrohet një alternativë e fortë qeverisëse me fokus në mirëqenie, infrastrukturë dhe shërbime cilësore për qytetarët.
VV vlerëson se bashkëpunimi i ngushtë me nivelin qendror ka sjellë rezultate konkrete për komunën, përfshirë zgjidhjen e problemeve shumëvjeçare si ai i rrjetit të ujësjellësit në disa fshatra. Kjo frymë do të vazhdojë edhe në qeverisjen lokale përmes Valon Prebrezës.
“Prebreza ka dëshmuar, edhe me angazhimin e tij të deritanishëm, se është i përkushtuar dhe i vendosur për t’i prirë transformimit që i duhet Komunës së Fushë Kosovës,” theksohet në komunikatë.
Lëvizja bën thirrje për angazhim të përditshëm në çdo lagje e fshat për të siguruar fitoren që, sipas tyre, do t’i hapë rrugë një epoke të re për komunën.
“E reja do të ngadhënjejë mbi të vjetrën, e reja do të triumfojë në Fushë Kosovë e për qytetarët,” përfundon komunikata zyrtare. /Kosova.info/
