Koci paralajmëron protestë të pandërprerë para Kuvendit: Kërkoj funksionalizimin e tij, shteti po shkatërrohet

Avokati dhe aktivisti Arianit Koci ka paralajmëruar vazhdimin e protestës së tij para Kuvendit të Republikës së Kosovës duke theksuar se qëndrimi i tij do të jetë i pandërprerë gjatë gjithë javës – ditën dhe natën – nga e hëna, 9 qershor 2025, në orën 10:45, e deri të premten pas përfundimit të seancës plenare.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Koci njoftoi se do të qëndrojë fizikisht para Kuvendit, madje edhe do të flejë aty, për të ngritur zërin kundër mosfunksionalizimit të këtij institucioni jetik të shtetit. Ai tha se nga protesta do të largohet vetëm në raste të domosdoshme që lidhen me angazhimet e tij si avokat në mbrojtjen ligjore të klientëve – duke theksuar se ky përjashtim nuk e zbeh, por e thekson edhe më shumë seriozitetin e protestës.

“Kërkesa është e vetme dhe e qartë: funksionalizimi i Kuvendit. Zvarritja nuk është më çështje politike. Është një formë e paralizës institucionale që po dëmton besimin qytetar, ekonominë dhe funksionimin e shtetit. Shteti po shkatërrohet!”, deklaroi Koci.

Ai theksoi se protesta nuk ka prapavijë personale apo partiake, por është një thirrje publike për përgjegjësi institucionale.

“Ftohen mediat që ta përcjellin këtë protestë publike – që nuk përfaqëson interes personal apo partiak, por është thirrje për përgjegjësi dhe veprim institucional,” tha ai.

Në fund të njoftimit, Koci theksoi se gjatë kësaj jave është në proces një prej gjykimeve më të rëndësishme të pasluftës në Kosovë – ai i të akuzuarve për sulmin e armatosur në Banjskë, ku mbeti i vrarë në detyrë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Unë jam përfaqësues i familjes së rreshterit të ndjerë Bunjaku,” shtoi ai duke kërkuar gjithashtu që qytetarët ta shpërndajnë këtë thirrje publike.

Protesta e paralajmëruar nga Koci vjen në një moment kur Kuvendi i Kosovës përballet me bllokada dhe mungesë funksionaliteti, gjë që po shkakton kritika në rritje nga shoqëria civile dhe qytetarët për pasivitetin institucional. /Kosova.info/


Go to TOP