Trajneri spanjoll: Yamal e meriton `Topin e Artë`, është lojtari më i mirë

Trajneri i Kombëtares së Spanjës, Luis de la Fuente, ka deklaruar se Lamine Yamal e meriton të fitojë “Topin e Artë”, duke e cilësuar atë si lojtarin më të mirë në botë pas paraqitjes së jashtëzakonshme kundër Francës.

Me dy gola vendimtarë, shtatëmbëdhjetë vjeçari i Barcelonës i siguroi Spanjës një vend në finalen e madhe ndaj Portugalisë.

“Yamal dha një mesazh të qartë dhe tregoi se ai duhet ta fitojë ‘Topin e Artë’. Ai është lojtari më i mirë në botë dhe, sipas mendimit tim, e meriton plotësisht këtë çmim”, ka thënë De la Fuente për RTVE, pas fitores dramatike 5-4 ndaj Francës në gjysmëfinalen e Nations League.

Gara për ‘Topin e Artë’, që përfshin periudhën nga 1 gushti 2024 deri më 31 korrik 2025, pritet të jetë mes Yamal dhe Ousmane Dembele, ish-lojtar i Barcelonës dhe aktualisht pjesë e PSG-së, i cili ka fituar këtë sezon Champions League, Ligue 1, Kupën e Francës dhe Superkupën franceze.

Nga ana tjetër, Yamal ka qenë protagonist në sukseset e Barcelonës, duke fituar La Liga, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës.

Lista e të nominuarve për çmimin do të publikohet në fillim të gushtit, ndërsa ceremonia e ndarjes së Topit të Artë do të zhvillohet më 22 shtator.

Go to TOP