Izraeli godet periferinë jugore të Bejrutit

Ushtarët izraelitë realizuan disa sulme në periferinë jugore të Bejrutit, ku mund të shiheshin re të mëdha tymi që ngriheshin nga kryeqyteti libanez, të enjten pasdite.

Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) thanë se po godisnin “objekte terroriste të Njësisë Ajrore të Hezbollahut (127)” në periferi jugore të Dahieh, Bejrut. Po ashtu, agjencia NNA raportoi sulme nga dronët izraelitë, duke thënë se një “seri sulmesh paralajmëruese, më shumë se shtatë”, kishin goditur periferi jugore të qytetit, raporton CNN.

Ushtarët izraelitë kishin paralajmëruar më parë për një sulm të mundshëm në këtë zonë, të synuar për të goditur “objekte të prodhimit të UAV-ve nëntokësorë” të kontrolluara nga Hezbollah. Zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite në gjuhën arabe, Avichay Adraee, lëshoi një “paralajmërim urgjent” përmes mediave sociale, duke i kërkuar banorëve të lagjeve “Al-Hadath, Haret Hreik dhe Burj Al-Barajneh” që të evakuonin menjëherë ndërtimet e shënuara me ngjyrë të kuqe në harta dhe strukturat përreth, duke qëndruar të paktën “300 metra larg” për siguri.

Një “paralajmërim urgjent” tjetër u lëshua nga Ushtria Izraelite përmes një postimi në X, të shoqëruar me një foto satelitorike të Libanit, duke treguar zonat e theksuara që sipas tyre tregonin vendndodhjet e objekteve të Hezbollahut. Paralajmërimi kërkonte që banorët të evakuonin menjëherë ndërtimet afër dhe të qëndronin të paktën 500 metra larg tyre. Ky njoftim shkaktoi panik të gjerë dhe evakuime, sipas NNA. Videot në rrjetet sociale që u regjistruan natën e enjte treguan dhjetëra makina që po largoheshin nga lagjet në jug të qytetit.

Sulmet e së enjtes shënuan herën e katërt që IDF bombardonte Bejrutin që nga arritja e një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA mes Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah në nëntor të vitit 2024. Sulmet u realizuan ndërkohë që muslimanët në Liban po përgatiteshin të festonin Bajramin e Kurbanit, i njohur ndryshe si Festa e Sakrificës, të premten. Shumica e muslimanëve në Liban zakonisht e festojnë natën e Bajramit që ra të enjten mbrëma, sipas orës lokale.

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, dhe Kryeministri Nawaf Salam e dënuan sulmin izraelit, me Aoun që tha se ky ishte një “shkelje e rëndë e një marrëveshjeje ndërkombëtare, si dhe e parimeve të bazuara të ligjeve dhe rezolutave ndërkombëtare dhe humanitare” në prag të një feste fetare të rëndësishme. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, postoi në X menjëherë pas sulmeve, duke thënë se vendi mban përgjegjësinë direkte ndaj qeverisë libaneze “për parandalimin e shkeljeve të armëpushimit dhe çdo aktiviteti terrorist kundër Shtetit të Izraelit.”

“Do të vazhdojmë të zbatojmë rregullat e armëpushimit pa asnjë kompromis,” shtoi Katz. Izraeli kishte sulmuar më parë të njëjtën lagje, një bastion të Hezbollahut, në fund të muajit mars. Armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit ishte arritur në nëntor 2024, por sulmet ndaj jugut të Libanit që synonin militantët dhe objektet e Hezbollahut vazhduan.

Go to TOP