Qethja e deleve, rit i vjetër që ruan identitetin blegtoral të zonës

Ka filluar riti i qethjes së deleve në Dukagjin, ndonëse tani si aktivitet i zbehur ka arritur të ruhet si zeje. Blegtorët e anës së Dukagjinit synojnë t’i frymëzojnë të rinjtë të rikthehen te bujqësia dhe trashëgimia e brezave.

Riti i qethjes së deleve në Dukagjin, ndonëse i zbehur shumë nëpër vite, për fat të mirë ende është duke u ruajtur me nostalgji nga disa blegtorë të vyeshëm të kësaj ane. Njëri ndër ta është edhe Arsim Beqiri nga Baballoqi i Deçanit, i cili aktualisht ka rreth 400 krerë dele.

“Tash kjo është si tradicionale te ne dhe kemi mjaft mysafirë që vijnë e bashkohen ndër veti, pra është festë e shqiptarëve, këtë e kemi si traditë edhe prej babës dhe babagjyshit. Kemi mjaft të ardhura prej tyre me bulmete me të gjitha në restorantin tonë dhe iu kisha bërë apel krejt kush është, le të merren më shumë me bujqësi se e ardhmja është edhe te kjo pjesë,” tha Beqiri, nikoqir.

Arsimi po ashtu është shprehur i kënaqur edhe me përkrahjen e institucioneve, sidomos atyre nga Ministria e Bujqësisë.

“Sot i kemi të qethët tek Beqirajt në Baballoq. Me tre rena po i qethim, përpara i kemi qit në bjeshkë po e ndjekim traditën e moçme, dikush i qeth me tre rena, dikush me pesë. Këtyre iu qofshin me hajr,” tha një qethtar.

Në të kaluarën, riti i qethjes së deleve në Dukagjin është organizuar kryesisht në bjeshkë nga 1-15 korrik.

Go to TOP