Falsifikim dhe shpërndarje ilegale e produktit “Collagen Peptides”: Policia dhe Dogana godasin rrjetin në Ferizaj
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës, kanë zbuluar dhe goditur një rast të prodhimit dhe shpërndarjes ilegale të produktit “Collagen Peptides 200 gr”.
Pas pranimit të një informate, autoritetet kanë ndërmarrë veprime hetimore në terren, në koordinim ndërinstitucional me Policinë dhe Doganën, që kanë çuar në lokalizimin e dy postave të shpejta përmes të cilave shpërndaheshin produktet e falsifikuara. Hetuesit kanë identifikuar personin e dyshuar dhe objektin në qytetin e Ferizajt, ku bëhej ripaketimi dhe ambalazhimi i produktit.
Gjatë operacionit policor janë sekuestruar:
Dhjetë thasë me gjithsej 6800 gram lëndë të parë proteinë “REALMASS”, që ripaketohej si “Collagen” përmes imitimit të ambalazhit origjinal;
1,500 copë ambalazh plastik imitues të produktit origjinal;
11 pako të gatshme për shitje në treg;
Një sasi e konsiderueshme etiketash me mbishkrimin “Collagen”.
Në një postë të shpejtë në magjistralen Prishtinë–Pejë janë gjetur edhe 30 pako të gatshme për t’u shpërndarë klientëve, ndërsa në një postë tjetër në Lipjan janë gjetur dhe konfiskuar edhe 3 pako të tjera.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është liruar në procedurë të rregullt.
Policia dhe Dogana e Kosovës njoftojnë se hetimet vazhdojnë për të ndriçuar tërësisht veprimtarinë e këtij rrjeti dhe për të parandaluar rrezikimin e shëndetit të konsumatorëve nga produktet e falsifikuara. /Kosova.info/
