AVONET akuzon Komunën e Prishtinës për veprime të jashtëligjshme ndaj KRM “Pastrimi” dhe shkelje të rendit juridik
Rrjeti i organizatave AVONET ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me sjelljen institucionale të Komunës së Prishtinës duke e cilësuar si të papranueshëm vendimin e saj për të kontestuar në Gjykatën Supreme një akt normativ të miratuar nga vetë Kuvendi i Komunës – organi më i lartë vendimmarrës në nivel lokal, në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Sipas AVONET, veprimi i ekzekutivit komunal për të ndërmarrë hapa juridik kundër një rregulloreje të ligjshme, e cila është miratuar në Kuvendin Komunal dhe ka marrë vlerësime pozitive nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), përbën shkelje serioze të normave demokratike dhe përdorim të gabuar të procedurave ligjore.
Organizata ka theksuar se përtej kontestimit të rregullores, shqetësim të veçantë paraqet fakti që Komuna e Prishtinës ka vazhduar të inkasojë mjete financiare nga qytetarët për shërbimin e mbeturinave, ndonëse sipas rregullores në fuqi, këto pagesa duhet të kryhen drejtpërdrejt në ndërmarrjen publike KRM “Pastrimi” Sh.A.
Sipas AVONET, këto veprime përbëjnë shkelje flagrante të parimeve të ligjshmërisë dhe transparencës në menaxhimin e fondeve publike dhe kanë vënë në rrezik funksionimin financiar dhe operativ të KRM “Pastrimi”. Për pasojë, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje kanë hyrë në grevë duke protestuar prej disa ditësh para Komunës së Prishtinës.
“Qytetarët janë ata që po e paguajnë çmimin më të lartë të kësaj situate të krijuar nga keqmenaxhimi institucional dhe shkeljet ligjore”, thuhet në deklaratën e AVONET.
AVONET rikujton se Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës tashmë ka refuzuar kërkesën e Komunës së Prishtinës për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë duke vendosur që rregullorja e miratuar nga Kuvendi Komunal të mbetet në fuqi.
Për këtë arsye, AVONET i bën thirrje Komunës së Prishtinës që të respektojë vendimin e gjykatës dhe të ndërpresë menjëherë çdo praktikë të paligjshme të inkasimit të pagesave për mbeturina. Po ashtu, kërkohet që të gjitha mjetet e mbledhura në mënyrë të kundërligjshme t’i transferohen KRM “Pastrimi” Sh.A., si përfituesi i ligjshëm i tyre.
Në përmbyllje, AVONET nënvizon se vetëm nëpërmjet respektimit të vendimeve gjyqësore dhe rikthimit të të drejtave të cenuar të qytetarëve dhe ndërmarrjeve publike mund të rikthehet besimi në institucionet publike dhe të garantohet rendi juridik në komunën e Prishtinës. /Kosova.info/
