Bekaj dhe Krasniqi optimistë: Grupi i bashkuar e i përgatitur për ndeshjet
Futbollistët e Kombëtares së Kosovës kanë theksuar unitetin dhe përkushtimin e lartë brenda ekipit, duke vlerësuar atmosferën pozitive dhe integrimin e mirë të lojtarëve të rinj në prag të dy ndeshjeve miqësore.
Portieri Visar Bekaj dhe anësori Ermal Krasniqi kanë shprehur besim në përgatitjet që po zhvillohen nën drejtimin e trajnerit Franco Foda, duke theksuar se çdo lojtar është i vetëdijshëm për rëndësinë e përfaqësimit me fanellën e Kosovës.
Të mërkurën, “Dardanët” kanë zhvilluar stërvitjen e katërt, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kundër Armenisë dhe Komoreve.Të gjithë lojtarët, përveç mbrojtësit Ismajl Beka i cili është larguar për shkak të lëndimit, janë në gjendje të mirë fizike dhe kanë stërvitur me intensitet të plotë.
Visar Bekaj është shprehur optimist për vazhdimin e ciklit pozitiv: “Stërvitjet janë duke shkuar mirë dhe atmosfera është shumë e mirë. Lojtarët e rinj janë ambientuar shumë mirë me ekipin dhe besoj se edhe ne, lojtarët më të vjetër, i kemi pritur mirë. Në këto dy ndeshje do të hyjmë për fitore dhe synojmë të vazhdojmë me këtë cikël pozitiv”, ka thënë ai. “Nuk ka kundërshtar të lehtë, edhe Armenia është një nga kundërshtarët e fortë, por shpresoj që të gjithë do ta japim maksimumin dhe do të luftojmë 100%, pavarësisht nëse është ndeshje miqësore apo kualifikuese”.
Ndërkaq, Ermal Krasniqi ka vlerësuar përgatitjet intensive dhe analizimin e detajuar të kundërshtarit: “Sot ishte dita e katërt e stërvitjeve. Grupi është shumë i mirë dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm se duhet ta japim maksimumin. Jemi nën urdhrat e trajnerit dhe po mundohemi që ta përgatisim ndeshjen sa më mirë. Edhe futbollistët e rinj janë ambientuar shumë mirë dhe e kanë kuptuar që duhet të japin maksimumin për fanellën e Kosovës”, ka thënë ai. “Armenia këtë herë është një ekip shumë më i mirë se sa në të kaluarën, si në aspektin defanziv, ashtu edhe në atë ofanziv. Jemi duke e analizuar në detaje ekipin armen dhe shpresojmë që të japim më të mirën të premten”.
