Shqipëria në vëmendjen e veterinerëve gjermanë: Kongresi i UPMVSH në “Deutsches Tierärzteblatt”

Revista zyrtare e Dhomës Federale të Veterinerëve të Gjermanisë (BTK), “Deutsches Tierärzteblatt”, në numrin e saj të qershorit 2025, i ka kushtuar një faqe të plotë Kongresit të Parë Ndërkombëtar të Urdhrit të Veterinerëve të Shqipërisë (UPMVSH), mbajtur në Durrës më 1-2 mars.

Në artikull vlerësohet lartë organizimi profesional, përmbajtja dhe niveli ndërkombëtar i ngjarjes, ku morën pjesë përfaqësues nga Federata e Veterinerëve Europianë (FVE), vetë BTK, rrjeti EVERI dhe shumë aktorë të fushës nga vendet e Ballkanit dhe Bashkimit Europian.

Theksohet veçanërisht pjesëmarrja e Dr. Cornelia Rossi-Broy, anëtare e Presidiumit të BTK-së, e cila mbajti një referim të rëndësishëm gjatë punimeve të kongresit. Po ashtu përmendet përshëndetja zyrtare e FVE-së, që e cilësoi këtë ngjarje si një model për rajonin duke e mbështetur tematikën qendrore “One Health – Një Shëndet i Vetëm”, si qasje moderne në mbrojtjen e shëndetit publik dhe mirëqenies së kafshëve.

Ky publikim i rëndësishëm është një tjetër dëshmi e fuqizimit të rolit ndërkombëtar të UPMVSH dhe përkushtimit për të ndërtuar një sistem veterinar modern, europian dhe me ndikim real në shoqëri.

“Ne jemi në rrugën e duhur” – thuhet në reagimin e Urdhrit, me mirënjohje për të gjithë profesionistët që po kontribuojnë në shkrimin e historisë së re të veterinarisë shqiptare. /Kosova.info/


Go to TOP