Abdixhiku: Prishtina nuk ndalet, përkundër pengesave politike dhe burokratike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj urdhrave burokratikë që, sipas tij, po pengojnë punët infrastrukturore në Prishtinë, përfshirë edhe pastrimin simbolik të Teatrit “Dodona”. Ai e cilëson këtë veprim si absurd duke theksuar se në një vend me gjendje kaq të rënduar ekonomike, ndalimi i punës është i papranueshëm.

“Sipas një shkrese që na erdhi nga njëfarë institucioni të trashëgimisë – në thënçin ashtu – na ndalohej pastrimi i pluhurit të Teatrit Dodona. Merreni me mend! Të ndalosh punën në vendin më të dobët ekonomikisht në kontinent. Kanë kohë ata. Ne dhe Prishtina megjithatë s’kemi,” u shpreh Abdixhiku.

Ai theksoi se ritmi i punëve në Kryeqytet do të intensifikohet dhe do të mbikëqyret çdo ditë. Sipas tij, projektet madhore infrastrukturore do të përfundojnë pavarësisht pengesave që vijnë, sipas tij, nga individë apo struktura që tentojnë të bllokojnë zhvillimin e qytetit.

Në një vizitë të përbashkët me kryetarin aktual të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, Abdixhiku tha se kanë inspektuar punimet në disa nga projektet më të rëndësishme në qytet.

“Rruga A, arteria e re kryesore që lidh Veternikun me Bregun e Diellit, përmes Rrugës B, duhet të përfundojë para fundit të shtatorit. Edhe Rruga e Arbërisë, që e shkarkon qytetin nga trafiku pranë rrethit të madh, do të finalizohet me ritëm të ri,” deklaroi ai.

Po ashtu, ai përmendi edhe përshpejtimin e punimeve në projektin “Ishulli Urban” në Arbëri, për të afruar banorët e kësaj lagjeje vetëm pesë minuta larg nga sheshi qendror i Prishtinës.

Abdixhiku kritikoi edhe kundërshtarët politikë, të cilët i akuzoi për bllokim të qëllimshëm të zhvillimit të qytetit. Ai përmendi grevat e nxitura dhe votimet kundër në Asamblenë Komunale, si përpjekje për të krijuar kaos në emër të luftës politike.

“Prishtina po sheh. Po i sheh edhe ata që provojnë të na mbulojnë me bërllog – që nxisin greva me një dorë, e votojnë kundër zgjidhjes në asamble me dorën tjetër,” tha ai duke shtuar se të tillët janë të humbur dhe do të përballen me drejtësinë kur të bjerë, siç tha, “perdja e një pushteti joligjor”.

Në fund, Abdixhiku dha një mesazh të qartë: “Punët do të bëhen. Prishtina nuk dorëzohet.” /Kosova.info/

Go to TOP