Guri i parë për pishinën gjysmë olimpike në Obiliq, nis ndërtimi i një projekti të rëndësishëm për të rinjtë dhe sportin
Në një hap simbolik, sot është vendosur gurthemeli i pishinës gjysmë olimpike në qytetin e Obiliqit, një projekt që pritet të sjellë zhvillim të madh në fushën e sportit dhe aktiviteteve rinore. Ceremonia u zhvillua në prani të Kryetarit të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, Drejtorit të Infrastrukturës Lokale dhe Drejtoreshës së Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Dr. Ibrahim Rugova”.
Ky investim i rëndësishëm do të krijojë mundësi të reja për fëmijët, të rinjtë dhe sportistët e komunës që të zhvillojnë aftësitë e tyre në not duke hapur rrugë për organizimin e garave dhe aktiviteteve sportive në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar.
“Edhe një projekt madhor po i shtohet qytetit të Obiliqit. Pishina gjysmë olimpike do të jetë një hapësirë e domosdoshme për zhvillimin e sportit dhe për të rinjtë tanë,” deklaroi Kryetari Gashi gjatë ceremonisë.
Projekti është pjesë e angazhimit të Komunës së Obiliqit për të investuar në infrastrukturë moderne dhe për të ofruar mundësi të reja për komunitetin, me fokus të veçantë në zhvillimin e kapaciteteve sportive të gjeneratave të reja. /Kosova.info/
