Korab Rexhepi denoncon publikisht bullizmin nga një koleg gazetar: Dinjiteti im nuk është për t’u nëpërkëmbur
Gazetari Korab Rexhepi ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan ai, një kolegu të tij i cili prej kohësh po ushtron presion dhe bullizim publik ndaj tij. Pa e përmendur emrin e personit në fjalë, Rexhepi ka theksuar se nuk do të tolerojë më një sjellje të tillë dhe ka paralajmëruar se mund të ndjekë rrugë ligjore nëse kjo situatë nuk ndalet.
“Dua ta bëj të qartë se nëse kjo sjellje nuk ndalet, do të jem i detyruar të shqyrtoj të gjitha rrugët ligjore. Dinjiteti im është më i shenjtë se çdo gjë tjetër, dhe nuk do të lejoj askënd ta nëpërkëmbë atë!”, ka deklaruar Rexhepi.
Ai ka shtuar se kolegu në fjalë ka ndaluar hapësirën për komente dhe madje e ka bllokuar në rrjetet sociale, në përpjekje për të shmangur çdo reagim nga ana e tij. /Kosova.info/
