Rama kurorëzon martesën e Çlirimtares, bijës së Heroit Agron Rrahmani: Një emër, një betim përjetësie
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kurorëzuar sot martesën e Çlirimtares, bijës së Heroit të Kombit Agron Rrahmani, një figurë emblematike e qëndresës në Prishtinë, i cili ra dëshmor në maj të vitit 1998 duke dhënë jetën për lirinë e Kosovës.
Ngjarja solemne u zhvillua me emocione dhe ndjenjë të thellë krenarie, teksa Çlirimtarja dhe bashkëshorti i saj, Erdin Aliaj, kurorëzuan dashurinë e tyre në një moment historik dhe simbolik për familjen dhe komunitetin.
Kryetari Rama, i cili kishte nderin të zyrtarizonte martesën, u shpreh: “Çlirimtare nuk është thjesht një emër, por një betim i përjetshëm, një emër që duhet mbajtur me krenari dhe dashuri. Uroj që rrugëtimi i saj i ri në jetë, bashkë me Erdin, të jetë i mbushur me lumturi, forcë dhe besim në idealet që i kanë mbajtur gjallë brezat.”
Ai shtoi se martesa e bijës së një dëshmori është gjithmonë më shumë se një lidhje personale – është një dëshmi e vazhdimësisë së vlerave për të cilat janë sakrifikuar jetë, një premtim për të ruajtur dhe përçuar trashëgiminë kombëtare.
“Qofshi shembull i dashurisë, i qëndresës dhe i besimit në një të ardhme më të mirë për ne dhe për gjithë kombin. Ruani dhe përçoni me krenari emrin e Heroit,” përfundoi Rama duke uruar çiftin për një jetë të lumtur dhe të mbushur me vlera. /Kosova.info/
