Tahiri: VV po qëndron në pushtet pa legjitimitet – opozita duhet të veprojë tani, jo të vajtojë më vonë

Pas seancës parlamentare të 24 majit, nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar me një mesazh të qartë për opozitën dhe ka akuzuar qeverinë aktuale për qëndrim në pushtet pa legjitimitet të ri. Sipas tij, pushteti po përfiton në heshtje nga situata aktuale politike dhe po zvarrit çdo zhvillim deri në zgjedhjet lokale të tetorit.

“Qeveria aktuale, me mbi 350 persona – përfshirë kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, kabinetet dhe stafin politik – qëndron në zyrë pa një legjitimitet të ri. Kjo nuk është rastësi, por një strategji e ftohtë për të shfrytëzuar kohën dhe institucionet për fushatën lokale,” shkruan Tahiri.

Ai shton se qetësia e pushtetit nuk ka të bëjë me përgjegjësi shtetërore, por me një kalkulim të mirëfilltë për të ruajtur kontrollin institucional deri në përfundimin e ciklit lokal.

Duke kritikuar “taktizimin” e opozitës, Tahiri propozon tri hapa urgjentë që sipas tij duhet të ndërmerren menjëherë:

1. Fillimi i dialogut brenda kampit ish-opozitar;

2. Përgatitja për vendimin e Gjykatës Kushtetuese;

3. Ndjekja e afateve kushtetuese për formimin e qeverisë.

Ai shton se nëse VV formon qeveri me 61 deputetë, atëherë ndryshimi mund të ndodhë vetëm në fillim të vitit 2026. Por nëse nuk e formon, Tahiri kërkon një qeveri opozitare me pesë prioritete në tre muajt e parë:

Uljen e çmimit të energjisë për sektorin privat;

Rritjen e pagave në sektorin publik;

Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës;

Përgatitjen dhe menaxhimin e zgjedhjeve lokale;

Fillimin e procesit për zgjedhjen e Presidentit – me gatishmëri për zgjedhje të reja nëse dështojnë.

“Shkurt e shqip,” përfundon ai, “opozita e ka në dorë largimin e shtabit zgjedhor të VV-së nga qeveria qendrore. Mos ua jepni kohën, mjetet dhe institucionet për të realizuar fushatën komunale pa përgjegjësi. Përndryshe, kur ta kenë marrë edhe pushtetin lokal, mos t’vajtojmë!”. /Kosova.info/

Go to TOP