Haziri: Kemi votuar presidente gra për hir të Republikës, jo për agjenda të fshehura

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar përmes një mesazhi të fortë politik duke rikujtuar votimin e dy presidenteve gra nga ana e partisë së tij, për hir të marrëveshjes dhe funksionimit të Republikës, pa kushte dhe pa agjenda të fshehura.

Haziri thekson se pavarësisht që votuesit nuk i kanë përkrahur gjithmonë ata kandidatë, LDK-ja ka vepruar në të mirë të shtetit dhe për të ruajtur stabilitetin institucional. Ai lëshon një kritikë të qartë ndaj qeverisë aktuale dhe mënyrës se si po menaxhohen proceset politike.

“Tash, për agjenda të fshehura e veprime të njëanshme, nuk votohet as për Kuvend e as për Qeveri. As për grua e as për burrë, por për përfaqësues që dalin nga marrëveshjet e veprimet politike, që nuk bartin njollën e kontrabandës politike, por të meritës politike”, shkruan Haziri.

Ai nënvizon se përgjegjësia për zhbllokimin e institucioneve bie mbi ata që kanë ndërtuar një karrierë mbi kundërshtimin e gjithçkaje në Republikë duke theksuar se ata e dinë më së miri se çka do të thotë të përballesh me kundërshtimin politik.

“Republika, mbi të gjitha!” përfundon mesazhin e tij Haziri duke i bërë thirrje reflektimit dhe kthimit te konsensusi politik. /Kosova.info/


Go to TOP