Krasniqi: Dështimi i 24-t për konstituivin e Kuvendit është tallje me qytetarin – VV mban barrën e përgjegjësisë

Analistja Naza Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj dështimit të 24-t me radhë për konstituivin e Kuvendit të Kosovës duke e quajtur këtë situatë një “tallje të hapur me qytetarin dhe demokracinë”.

Përmes një reagimi publik, Krasniqi tha se kjo nuk është thjesht një krizë politike, por një shpërfillje e plotë ndaj vullnetit të popullit. Ajo theksoi se përgjegjësinë kryesore për këtë bllokadë e mban Lëvizja Vetëvendosje, si partia që ka fituar mbi 42% të votave.

“Kur qytetari ta jep shumicën, ta jep edhe barrën e përgjegjësisë, jo luksin për ta shtyrë pafund”, shkroi ajo duke shtuar se ky bllokim nuk është më procedural, por një pengesë serioze për funksionimin e shtetit, për ligjshmërinë dhe për vetë shpresën e qytetarëve.

Krasniqi ngriti pyetje të forta mbi qëllimet e kësaj situate: “A po ndëshkohet populli për zgjedhjen që bëri? A janë institucionet lodër për pak grupe të interesit?”

Sipas saj, Kuvendi nuk duhet të shndërrohet në një arenë pazare politike, por duhet të jetë themeli i funksionimit të shtetit.

“Qytetarët nuk janë spektatorë. Ata janë burimi i sovranitetit”, përfundoi Krasniqi duke i bërë thirrje përfaqësuesve politikë të marrin përgjegjësinë dhe të mos fshehen pas justifikimeve.

#Kuvendi #Kosova #Vetëvendosje #DemokraciaNënBllokadë #PërgjegjësiJoArsyetime /Kosova.info/


Go to TOP