KMDLNj: Gjykata Speciale – një monstrum juridik në shërbim të agjendave politike
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale në Hagë duke e cilësuar atë si një “monstrum juridik” të themeluar nën dhunë dhe presion psikologjik nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas KMDLNj-së, qëllimi kryesor i kësaj gjykate ishte arrestimi i udhëheqësve më të lartë të luftës çlirimtare dhe të shtetit të Kosovës – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi – ndërsa të tjerët u arrestuan për të krijuar një iluzion të drejtësisë së barabartë.
KMDLNj thekson se kjo gjykatë, e paraqitur si pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, nuk ka ndjerë asnjëherë detyrim ndaj “themeltarit” të saj – Kuvendit të Kosovës. Për më tepër, përmes një marrëveshjeje të fshehtë, vendimmarrja sovrane i është dorëzuar kësaj gjykate duke krijuar një precedent të paprecedentë në historinë moderne të drejtësisë ndërkombëtare.
Organizata kritikon ashpër trajtimin çnjerëzor dhe diskriminues të të arrestuarve shqiptarë në Hagë duke përmendur mungesën e kujdesit shëndetësor, mospërkthimin e materialeve në gjuhën shqipe, kufizimin e vizitave humane dhe mbajtjen e tyre në paraburgim përtej çdo kufiri të arsyeshëm. KMDLNj ka dërguar gjetjet e saj në institucionet përkatëse të Kosovës, por siç thuhet në deklaratë, Ministria e Drejtësisë përkundrazi ka ndikuar negativisht duke u pakësuar mbrojtjen dhe të drejtat themelore.
Sipas KMDLNj-së, Gjykata Speciale nuk është monitoruar nga asnjë mekanizëm ndërkombëtar, ka vepruar në mënyrë jotransparente dhe me mungesë totale të llogaridhënies. Përfaqësues të saj, si kryetarja Ekaterina Trandafilova dhe prokurori Jack Smith, janë akuzuar se kanë ndërtuar një alibi për dënimin e domosdoshëm të të akuzuarve, pavarësisht fakteve apo provave.
Në përfundim, KMDLNj paralajmëron opinionin publik se në Hagë po zhvillohet një “lojë e ndyrë juridike”, ku as viktimat nuk marrin drejtësi dhe as fajtorët e vërtetë nuk ndëshkohen. Gjithçka, sipas Këshillit, është në funksion të agjendave të errëta politike ndërkombëtare dhe vendore. /Kosova.info/
