Syla: Diplomaci e turpshme për vota, politikanët shqiptarë në Maqedoni të Veriut përfshihen në pazare për qeverinë Kurti 3

Gazetari dhe diplomati Donat Syla ka denoncuar përmes një reagimi publik përpjekjet e vazhdueshme të kastës politike shqiptare në pushtet në Maqedoninë e Veriut për t’i siguruar Lëvizjes Vetëvendosje votat e nevojshme për formimin e qeverisë “Kurti 3” duke përdorur metoda të dyshimta e joshje të ulëta politike.

Sipas Sylës, zv.kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Izet Mexhiti, i ka premtuar deputetes boshnjake të Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, një vend pune si ligjëruese në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, nëse ajo voton pro kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Në të njëjtën linjë, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, raportohet se ka tentuar ta bindë deputetin nga komuniteti goran, Adem Hoxha, që të mbështesë po ashtu kandidaten e Vetëvendosjes për postin e kryeparlamentares.

“Për ironi, ky i fundit – kur e vizitoi homologia e tij nga Shqipëria – nuk guxonte të fliste në gjuhën shqipe në një konferencë për media! Çfarë mjerimi politik dhe njerëzor,” përfundon Syla duke akuzuar këta liderë për sjellje të nënshtruara dhe për përçmim ndaj përfaqësimit të denjë të shqiptarëve.

Ndërkohë, situata e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut vazhdon të përkeqësohet, ndërsa liderët e tyre angazhohen në pazare të dyshimta për interesa që nuk reflektojnë gjendjen reale të komunitetit që përfaqësojnë. /Kosova.info/

Go to TOP