Lansohet aplikacioni “Be Here Then” – një udhëtim AR në historinë e Çarshisë së Vjetër në Prishtinë
Me kënaqësi, qytetarët e Prishtinës dhe dashamirët e kulturës dhe teknologjisë ftohen të marrin pjesë në lansimin e aplikacionit inovativ “Be Here Then”, më 22 maj, nga ora 17:00, në Sheshin “Adem Jashari”, pranë përmendores së Vllaznim Bashkimit, në zemër të kryeqytetit.
“Be Here Then” është një aplikacion i realitetit të shtuar (augmented reality – AR), që u ofron përdoruesve një përvojë unike interaktive duke i udhëhequr përmes Çarshisë së Vjetër të Prishtinës. Gjatë shëtitjes, ata do të takojnë personazhe të së kaluarës dhe do të dëgjojnë tregime të vjetra qytetare, pikërisht aty ku ndodhën – përmes zërit dhe fotografive arkivore që risjellin dekada kujtimesh të dokumentuara.
Ky aplikacion përfaqëson një ndërthurje kreative mes teknologjisë moderne dhe kujtesës kolektive, duke e shndërruar rrugëtimin nëpër qytet në një përjetim të gjallë të historisë urbane. Lansimi do të karakterizohet nga një atmosferë autentike e frymëzuar nga Çarshia e Vjetër – me tinguj, shije dhe ambient që risjellin identitetin historik të saj.
Ngjarja organizohet në kuadër të projektit “Tu pa, Tu bo”, i financuar nga Qeveria e Suedisë dhe i zbatuar nga Universiteti i Lundit, në partneritet me Future by Lund, Anibar dhe UN-Habitat Kosova, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Për të gjithë të interesuarit, agjenda e ngjarjes është e bashkangjitur, ndërsa organizatorët mbesin të hapur për çdo pyetje, intervistë apo akreditim mediatik.
Kjo është më shumë se një lansim teknologjik – është një ftesë për të përjetuar historinë përmes syve të së ardhmes. /Kosova.info/
