Abdixhiku mirëpret ambasadorin e ri italian: Italia, mike e çmuar në rrugën drejt BE-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore të partisë ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini. Në këtë takim të parë zyrtar, Abdixhiku e uroi ambasadorin Antonini për fillimin e mandatit të tij dhe i dëshiroi sukses në detyrën e re diplomatike në vendin tonë.
“Italia ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fuqishme e pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës – dhe një mike e çmuar në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Abdixhiku.
Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit diskutuan për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, sfidat me të cilat përballet vendi dhe perspektivën euroatlantike të tij. Kryetari i LDK-së e informoi ambasadorin italian mbi qëndrimet e fundit të partisë lidhur me krizën politike në vend dhe theksoi gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë institucional me Ambasadën e Italisë në Prishtinë.
Abdixhiku gjithashtu ndau me ambasadorin Antonini historinë e gjatë dhe të rëndësishme të LDK-së në proceset shtetformuese të Kosovës, duke përmbyllur takimin me urimet për një mandat të suksesshëm dhe frytdhënës diplomatik. /Kosova.info/
