Jëlliqi: Festivali i Letërsisë ‘ZanaFest’ i bashkon krijuesit
Sot nis Festivali i Letërsisë “ZanaFest”. Në edicionin e tij të pestë, aktiviteti i parë është një punëtori poetike me fëmijët e organizatës “Down Syndrome Kosova” që do të mbahet në pjesën veriorë të Mitrovicës.
Diellza Jëlliqi, koordinatore e aktiviteteve, theksoi se nga viti në vit interesimi është rritur.
“Në edicionin e parë kemi pasur vetëm poetë e poete lokale, kurse në edicionin e pestë kemi një larushi të personave e të vendeve që kanë aplikuar. Kemi poetë prej Greqisë, Kroacisë, Bosnjës, Shqipërisë e nga qytete të ndryshme të Kosovës”, tregoi ajo.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, ajo tha se festivali vazhdon ditën e dytë nesër dhe është ngjarja kryesore e festivalit.
“Do të performojnë dhjetë poetë, poetë, të cilët kanë qenë fitues të këtij edicioni. Do t’i përformojnë poezitë para publikut të Mitrovicës.
Ne çdo vit e hapim thirrjen për të gjithë ata që shkruajnë dhe janë të interesuar të bëhen pjesë e festivalit. Përzgjedhja e poezive të tyre është bërë prej profesionistëve”, tha ajo.
Po ashtu, Jëlliqi tregoi se në këtë edicion ka qenë temë udhëtimi shpirtëror dhe fizik. Poezitë kanë këtë tematikë. Përveç botimit të librit fizik, ajo tha se poezitë do të përkthehen në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze.
Ndër të tjera, ajo tregoi se në Festivalin “ZanaFest” gjithmonë përpiqen t’i përfshijnë komunitetet e Kosovës.
“Festivali udhëton çdo vit. Këtë vit, në dy ditët e fundit të festivalit, më 23 dhe 24 maj, do të shkojmë në Shkodër dhe aty përfundon gjithçka”, shtoi ajo.
