Sa janë të punësuar në Kosovë? Mvaret kënd e pyet..

Shkruan: Shenoll MUHARrEMI

Qe disa ditë po mundohem me kuptu si ka mundësi me pas kaq diskrepancë të thellë në shifra të punësimit tek tri institucionet vitale: ASK, Trusti dhe ATK.

Disa observime:

a. ASK nuk i publikon të dhënat e punësimit me kohë. Zakonisht vonohet tepër shumë, rreth një vit. Shtrohet pyetja, pse? Sidomos kur i ka në dispozicion të dhënat nga ATK-ja dhe Trusti. ASK i publikon me kohë të dhënat e tjera si tregtia, inflacioni… por jo punësimi.

Deri tani nuk kemi pasur arsye me dyshu për këtë vonesë, por tash që ka kaq shumë dallime, mundemi me dyshu që kjo është një strategji për me leju Qeverinë me përdorë statistika selektive rreth punësimit.

Rekomandim: ASK duhet t’i publikojë me kohë statistikat e punësimit. Nuk ka asnjë arsye për vonesa kaq të mëdha. Deri vonë, të dhënat e vetme në dispozicion kanë qenë të vitit 2023. Deri më 27 mars 2025, ora 16:00, kemi pasur vetëm ato. Vetëm para pak muajsh u publikuan të dhënat për TM1 dhe TM2 të vitit 2024, kur në fakt tashmë do të duhej të kishim edhe të dhënat për vitin 2025.

b. Metodologjia e Trustit duhet të bëhet më transparente. Pse gjithmonë në fillim të vitit kemi një “reset” dhe një dallim kaq të madh me fundin e vitit? Rasti konkret është 2025/TM1, ku kemi 337,283 llogari aktive mesatarisht, ndërsa në 2024/TM4 kemi 445,613, mbi 100,000 më shumë. Nëse të njëjtët persona regjistrohen nga dy apo tri herë gjatë vitit, kjo duhet të sqarohet. (Tabela krahasimore në komente)

Rekomandim: Personat e njëjtë nuk duhet të regjistrohen dy apo tri herë. Duhet të raportohet numri real i të punësuarve, jo sa herë punësohet një person i njëjtë në periudha të ndryshme.

c. ATK-ja, Trusti dhe ASK-ja kanë të dhëna të ndryshme dhe një diskrepancë të thellë mes tyre. Kjo nuk është aspak e dobishme dhe po krijon huti në opinionin publik.

Rekomandim: Këto tri institucione duhet të bashkëpunojnë për të harmonizuar metodologjinë ose të ofrojnë më shumë sqarime në raportet e tyre publike për sa i përket numrit të të punësuarve.

d. Nga tabela e prezantuar, vërehen dallimet mes të dhënave të ASK-së dhe Trustit. Në vitin 2020 kishim një përafrim mes numrit të raportuar të të punësuarve dhe llogarive aktive, por kjo ka filluar të ndryshojë në vitet e fundit.

Rekomandim: Të sqarohet nëse ka pasur ndryshim metodologjie. Sidomos, duhet të specifikohet sa është punësimi afatshkurtër (3 deri në 6 muaj), dhe kur një person nuk është i punësuar në çerekun e fundit të vitit, ai duhet të largohet nga regjistri, të mos raportohet si i punësuar.

Go to TOP