Musliu: Vetëvendosje ka uzurpuar shtetin, çdo e keqe në Kosovë mban emrin e Albinit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Qeverisë në detyrë dhe Lëvizjes Vetëvendosje duke e cilësuar situatën aktuale si “abuzim të pashembullt me pushtetin”.

Sipas saj, në vend që të udhëheqë me përgjegjësi dhe të ndihmojë në konstituivin e institucioneve pas zgjedhjeve, Vetëvendosje po i mban peng ato duke shkelur rendin kushtetues dhe duke krijuar një krizë të qëllimshme politike.

“Një parti që në vend të përgjegjësisë ka zgjedhur bllokadën, që përvetëson asetet shtetërore dhe përdor pushtetin për interesin e vet politik – kjo është Vetëvendosje sot,” shkroi Musliu. Ajo shtoi se aktet e ministrave në detyrë përfshijnë përdorimin e makinave zyrtare për çështje personale, shpërdorimin e fondeve publike për propagandë partiake dhe vendime të njëanshme që shkelin etikën dhe ligjin.

Musliu theksoi se Qeveria në detyrë nuk po përpiqet të lehtësojë tranzicionin institucional, por përkundrazi po e thellon krizën për të ruajtur pushtetin me çdo kusht. “Çdo fjalë për drejtësi e integritet ka qenë mashtrim. Sot po shihet qartë kush është i gatshëm të bëjë gjithçka vetëm për të mbetur në pushtet,” tha ajo.

Ajo e përmbylli reagimin e saj me thirrjen për mobilizim qytetar dhe institucional: “Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për një pushtet të kapur nga një parti që ka humbur çdo lidhje me vlerat demokratike. Në një shtet normal, pushteti është shërbim, jo privilegj. Për këtë, Albin Kurti dhe shvadronët e tij duhet të mbajnë përgjegjësi.” /Kosova.info/


Go to TOP