Prishtina përballet me krizën e mbeturinave, Rama: Epoka e sabotimeve dhe shantazhit merr fund

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se qyteti po përballet me një situatë të vështirë të mbeturinave për shkak të ndërprerjes së shërbimeve nga Ndërmarrja “Pastrimi”. Ai e ka cilësuar këtë krizë si kulmin e papërgjegjshmërisë institucionale dhe të një praktike të përsëritur të shantazhit politik.

Rama bëri me dije se me gjithë miliona euro investime në këtë ndërmarrje, shërbimi ka qenë i paqëndrueshëm dhe është përdorur si mjet për interesa të ngushta politike. Ai garantoi se qytetarët e Prishtinës nuk do të penalizohen për shkak të këtyre llogarive politike.

“Gjatë gjithë vikendit, ekipet tona alternative kanë qenë në terren 24 orë për të menaxhuar situatën dhe nga e hëna shërbimi do të rikthehet në normalitet”, tha kryetari i kryeqytetit.

Në një mesazh të qartë, Përparim Rama theksoi se nuk do të lejojë që politika e bllokadës dhe shantazhit të përdoret si mjet i pazareve personale duke u angazhuar që të veprojë vetëm në interes të qytetarëve. Ai u zotua se epoka e sabotimeve dhe keqpërdorimit të parasë publike në këtë sektor do të marrë fund.

Në fund, Rama falënderoi qytetarët për mirëkuptimin dhe mobilizimin e tyre në përpjekjen për të mbajtur pastërtinë e Prishtinës duke i ftuar të jenë bashkëpunues për ta rikthyer qytetin në gjendjen e duhur shëndetësore dhe të pastërtisë që meriton. /Kosova.info/

Go to TOP