Spahiu pas takimit me ministrin serb Marko Gjuriq: Diskutuam mbi sfidat e rajonit – flamuri i Kosovës ishte me mua
Profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu ka konfirmuar për Kosova.info se gjatë qëndrimit të tij në Beograd, ku po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare, është takuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq.
“Jam në një konferencë në Beograd. Ministri i Jashtëm Gjuriq më ftoi në zyrën e tij. Biseduam për një orë e më tepër për çështje që e mundojnë regjionin”, deklaroi Spahiu për Kosova.info duke shtuar se takimi ishte i përqendruar në sfidat aktuale me të cilat përballet Ballkani dhe nevojën për qasje konstruktive në adresimin e tyre.
Pas publikimit të një fotografie nga takimi, ku mungonte flamuri i Kosovës, Spahiu sqaroi se ky detaj ka një arsye të thjeshtë: “Flamuri i Kosovës është në xhaketën time, ngjitur, por nuk po duket mirë në foto. Nuk mund të ishte në prapavijë sepse unë nuk jam zyrtar i Kosovës, jam vetëm qytetar.”
Takimi vjen në një periudhë të ndjeshme për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që iniciativat për dialog dhe mirëkuptim ndërmjet palëve mbeten të rëndësishme për stabilitetin rajonal. /Kosova.info/
