“Kritika e mendjes politike” e ambasadorit Kramariç promovohet në Prishtinë: Ngjarje kulturore me thellësi rajonale
Me rastin e botimit të librit më të ri të autorit dhe ambasadorit kroat Zlatko Kramariç, të titulluar “Kritika e mendjes politike”, publiku kosovar ftohet të marrë pjesë në promovimin që do të mbahet më 20 maj 2025, në ambientet e GAIA Restorant në Bërnicë, Prishtinë, me fillim nga ora 11:00.
Ky libër sjell një analizë të thelluar të zhvillimeve politike dhe kulturore në Kroaci dhe më gjerë në rajon, duke përfshirë edhe vende si Shqipëria, Kosova dhe Sllovenia. Në fokus janë temat që tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe ndërlidhen me sfidat dhe transformimet politike e shoqërore që i përjetojnë këto shoqëri.
Në promovim do të jenë të pranishëm dhe do të mbajnë fjalë rasti:
Prof. Dr. Enver Hoxhaj
Prof. Dr. Bekim Baliqi
Mr. Genc Prelvukaj, kandidat për doktoraturë në Universitetin e Zagrebit
Dr. Safet Gërxhaliu
Zlatko Kramariç është një personalitet me përvojë të pasur akademike dhe diplomatike, ndër tjerash edhe ambasadori i parë i Kroacisë në Kosovë. Ai është autor i shumë veprave të rëndësishme dhe fitues i çmimit prestigjioz Zvane Crnja për librin “Klasa kroate”.
Organizatorët theksojnë se prania e mediave dhe e publikut të gjerë është e mirëseardhur, duke e konsideruar këtë promovim si një ngjarje me rëndësi kulturore dhe diplomacie publike për të gjithë rajonin. /Kosova.info/
