Rama: Po zgjerojmë rrjetin e ngrohjes qendrore në lagjet më të mëdha të Prishtinës
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore në disa nga lagjet më të mëdha të kryeqytetit, në kuadër të projektit “Solar4Kosovo II”.
Sipas Ramës, përfitues të këtij investimi do të jenë lagjet Kalabria, Kalabria Dardha, Prishtina e Vjetër, Jug Gjinaj, Mëhalla e Muhaxherëve, Tophane dhe Lakrishte duke ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e kushteve të jetesës për mijëra banorë të Prishtinës.
“Po zgjerojmë rrjetin e ngrohjes qendrore në disa prej lagjeve më të mëdha të Kryeqytetit. Përmes projektit Solar4Kosovo II, furnizimi me ngrohje do të përfshijë mijëra qytetarë,” tha Rama.
Ai falënderoi Qeverinë Gjermane përmes KfW, si dhe partnerët e tjerë si BERZH-i, Bashkimi Evropian, Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, për mundësimin e këtij investimi drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe të qëndrueshme energjetike.
Ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt përdorimit të energjisë së ripërtëritshme dhe modernizimit të infrastrukturës termike në kryeqytet. /Kosova.info/
