Shahini dhe Gjeloshaj diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik rajonal
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini është takuar me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, në Budvë.
AKB përmes një njoftimi bashkëbisedimi i tyre u zhvillua në kuadër të takimit dyditor të organizuar nga Këshilli Ekonomik dhe Social i Evropës, me temën “Si të përmirësohet dialogu social dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor”.
“Ky takim u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, duke reflektuar vullnetin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. U diskutua për nxitjen e partneriteteve rajonale, përmirësimin e klimës së biznesit dhe rëndësinë e dialogut të qëndrueshëm ndërmjet sektorit publik dhe privat”, njofton AKB.
Shahini theksoi rolin e AKB-së si zë i fuqishëm i sektorit privat në Kosovë dhe nevojën për politika që krijojnë një ambient më të favorshëm për investime. Nga ana tjetër, Gjeloshaj shprehu përkushtimin e Qeverisë së Malit të Zi për thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën dhe përkrahjen e iniciativave që rrisin zhvillimin rajonal.
Takimi u mbajt në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për të ndërtuar një Ballkan Perëndimor më të integruar ekonomikisht dhe me dialog social më të avancuar. /Kosova.info/
