U mbajt aktiviteti për promovimin e rëndësisë së shëndetit mendor

Me moton “Komuniteti”, në Prishtinë u mbajt sot një tryezë e rrumbullakët në kuadër të Javës së Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor, e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Qëllimi i aktivitetit ishte promovimi i rëndësisë së shëndetit mendor dhe ndërtimi i një komuniteti të fuqishëm, gjithëpërfshirës dhe mbështetës, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Në këtë tryezë morën pjesë, përfaqësues institucionalë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Naim Bardiqi, Drejtorin e Klinikës së Psikiatrisë, Dr. Faton Kutllovci, Drejtorin e Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Agron Bytyqi, si dhe përfaqësues nga OBSH, UNICEF dhe organizata të shoqërisë civile.

Dr. Bardiqi ka theksuar përkushtimin e Ministrisë në rritjen e vetëdijes për shëndetin mendor nëpërmjet edukimit dhe informimit të qytetarëve. Ai njoftoi për hartimin e shtatë udhërrëfyesve klinikë dhe tre udhëzuesve, si dhe për përgatitjen e Projektligjit për Shëndetin Mendor, Planit Strategjik për Shëndet Mendor 2025-2030, dhe disa protokolleve të tjera klinike.

Ndërkohë, Dr. Kutllovci ka theksuar se shëndeti mendor nuk është vetëm një çështje individuale, por një përgjegjësi kolektive. “Le të bashkohemi për të luftuar stigmat, sepse nuk ka gjë më të fuqishme se sa një komunitet që dëgjon, mbështet dhe nuk paragjykon,” u shpreh ai, duke theksuar gjithashtu punën që po bëhet për rritjen e kapaciteteve të Klinikës së Psikiatrisë, sidomos në trajtimin e varësive.

Ngjarja u përmbyll me prezantimin e të arriturave të deritanishme në fushën e shëndetit mendor dhe me prezantimin e programit të ri për këtë fushë jetike.

Java e Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor vazhdon me aktivitete të tjera që kanë në fokus ndërgjegjësimin, edukimin dhe përfshirjen e komunitetit në përkrahje të shëndetit mendor për të gjithë. /Kosova.info/

Go to TOP