Abdixhiku takon Rohden, e njofton për propozimin e LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, me të cilin kanë diskutuar rreth krizës institucionale dhe ndikimin e saj në funksionimin e rregullt të institucioneve demokratike.

LDK njofton se Abdixhiku e ka njoftuar Rohden për propozimin që ka bërë kjo parti për themelimin e një qeverie nacionale të tranzicionit, e që sipas LDK-së është një zgjidhje e përkohshme, por e domosdoshme për të tejkaluar ngërçin aktual dhe për të kthyer funksionalitetin e shtetit.

Tutje, thuhet se Abdixhiku ka deklaruar se bllokada e krijuar është e papranueshme, dhe se situata e tillë e cenon mirëqenien e qytetarëve.

‘‘Në këtë kontekst, kryetari Abdixhiku ritheksoi qëndrimin e LDK-së se bllokada politike dhe institucionale është e papranueshme, duke nënvizuar se një situatë e tillë cenon drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve dhe pengon rrjedhën normale të proceseve shtetërore si dhe zhvillimin institucional të vendit’’, thuhet në njoftim.

Po ashtu, kryetar i LDK-së ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon të ia japë Kosovës.

‘‘Gjatë këtij takimi kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës, veçanërisht në proceset integruese, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe u rikonfirmua bashkëpunimi i ndërsjellë në mes të dyja vendeve dhe përkushtimi drejt avancimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi’’, thuhet në njoftim. /Kosova.info/


Go to TOP