Kur lahutarët serb ndillnin luftë në sheshet e Prishtinës*
Shkruan: Bajram MJEKU
Kryeredaktori i gazetës serbe “Jedinstvo”, Zhivorad Igiç ecte me hapa triumfues në korridorin e gjatë dhe të errët të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste në Prishtinë. Derisa ecte, ai u përball me dy komunist shqiptarë, të cilët e përshëndetën me përulje. Igiç, as që denjoi t’i përshëndeste! Përmes përçmimit, atyre ua dërgonte mesazhin se ditë të këqija po vinin edhe për ata, të cilët i ishin servilosur ndër breza regjimit serb…
Ai hyri pa trokitur në zyrën e anëtarit të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste, Veselin Trajkoviç të cilin e paralajmëronte se së shpejti do të zinte kolltukun e tij. Me zë qortues dhe pa e përfillur i tha:
– Shefi ynë Slobodan Milosheviç, në protokollin e ceremonisë për shënimin e 600 vjetorit të Betejës së lavdishme të Kosovës, kërkon që të paktën një muaj më parë sheshet e Prishtinës të mbushen me lahutarë!
– Pse lahutarët, ç’na duhen ata?!, – pyeti i shqetësuar Veselin Trajkoviç.
– Të këndojnë për Betejën e Kosovës, për heroin tonë Car Lazar dhe të ngrejnë moralin e popujve serb e malazez kundër shqiptarëve në Kosovë. Ringjallja e heronjëve të Betejës së Kosovës në sy të shqiptarëve gjashtëqind vjet më vonë, është jetike për ne, – tha Igiç dhe shtoi: – Që ta dini mirë, Shefi i madh nuk ka ndonjë simpati të veçantë për juve dhe po dështoi ardhja e lahutarëve, vaj halli për ty shoku Trajkoviç!
– E ku t’i gjejmë lahutarët e shkretë? – pyeti Trajkoviç.
– Në Kosovë dhe gjithandej Serbisë e Malit të Zi. Lahutarët duhet t’i shpërndajmë gjithandej shesheve të Prishtinës.
– Lahutarët janë hallexhinjë shoku Igiç dhe duhet t’ua japim edhe ndonjë qindarkë!
– Do t’i paguajmë dhe akomodojmë. Edhe ushqimin e pijet do t’i kenë falas. Nëse nuk ua ofrojmë ne, le të hyjnë në dyqanet e shqiptarëve dhe le të plaçkisin çfarë të duan.
– Patjetër shoku Igiç!, – tha Trajkoviç.
– Mos harro, edhe lahutarët malazezë le të vishen me kostim kombëtar, pasi fundja jemi një, – përfundoi Igiç.
Trajkoviç kishte dëgjuar për një lahutar nga Graçanica dhe të nesërmen pa zbardhur mëngjesi, u nis drejt Graçanicës.
U ndal skaj rrugës në kafenenë “Dva jablana”, më shumë për të pyetur për shtëpinë e lahutarit Vladeta Gjuriq se për të pirë kafenë e mëngjesit.
Kamarierja Vesna, e cila më shumë për t’i joshur se sa për t’i shërbyer klientët e kafenesë, veshur gjithmonë në minifund, e pyeti Trajkoviçin.
– Çfarë kërkoni kaq herët shoku Trajkoviç?!
– A më trego Vesna, ku është shtëpia e lahutarit Vladeta Gjuriç?
– Në fund të fshatit në rrugën e parë majtas, – u përgjigj Vesna dhe shtoi: – Vladeta është plakur dhe gruaja e tij Zorka ka vdekur moti. Edhe zëri i është shterur, pasi këngët kreshnike që moti nuk i këndon askush shoku Trajkoviç.
Pa mbaruar bisedën me kamarieren, Trajkoviç u ngrit nga tavolina dhe u nis drejt veturës për të kërkuar shtëpinë e lahutarit. Rrugët ishin të shkreta dhe vetëm uturima e veturës, prishte qetësinë e mëngjesit të hershëm.
Më në fund u gjend përballë shtëpisë së lahutarit Gjuriq dhe pasi gëlltiti pështymën që i ishte tharë në fyt, thirri:
– Vlado… O Vladooooo!
Thirri edhe disa herë, por portën e shtëpisë nuk e hapte askush. Kur nisi të humbiste durimin, më në fund krokëlliu dera dhe u shfaq plaku Vladeta me habi se kush e thërriste atë mëngjes të hershëm, pasi që moti ishte harruar. Lahutari Vladeta iu ofrua rrethojës së shtëpisë dhe kur pa anëtarin e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste, pyeti me habi:
– Çfarë e mire të solli këtu shoku Trajkoviç?!
– Kam ardhur të të njoftoj se nga 1 deri më 28 qershor, ditën kur shënohet përvjetori i Betejës së Kosovës, duhet t’i këndosh lavdisë së popullit tonë me lahutë në zemër të Prishtinës. Mos harro se këtë ditë vjen edhe shefi i madh, Slobodan Milosheviç!
– E paqim jetemot shoku Trajkoviç, por mos harro se veç Himnit për trimat e Kosovës, këngët tjera i kam harruar!, – u përgjigj lahutari Vladeta, të cilit i dridheshin duart.
– Edhe vetëm një këngë nëse di, përsërite të njëjtën çdo ditë, por nga një qershori deri ditën kur mbaron manifestimi, duhet të këndosh në sheshin “Republika” në Prishtinë. Shqiptarëve, këtij populli barbar, duhet t’ua rikujtoni se Kosova është djep i kombit serb.
– Jam hallexhi shoku kryetar dhe…
– E di që je hallexhi dhe për këtë do të të paguaj shteti, – e ndërpreu Jokanoviç ende pa mbaruar fjalën lahutari Vladeta dhe shtoi: – Mos harro, më 1 qershor, duhet të të shohim në sheshin “Republika” dhe t’i këndosh kombit tonë fisnik!
Ishte fillimi i muajit maj. Më shumë se mimozat, lulëkuqet kishin shpërthyer gjithandej Kosovës…
Në kryeqytetin e Kosovës zbarkuan lahutarët nga Kraleva, Rashka, Cetinja e Kotorri. Zërat e zvargur të lahutarëve serb e malazez kumbonin kudo dhe shumica e tyre u ulën përgjatë sheshit “Republika”. Plaku Vladeta Gjuriq nisi të këndoj:
Krishti Zot i kryqëzuar dhe i shenjtë
Toka serbe po fluturon nëpër qiej
Po fluturon mbi lartësitë qiellore
E krahë të saj janë Morava e Drini.
Në anën tjetër të sheshit, ishte ulur lahutari malazez Milo Petroviç, i cili me mund të madh kishte zbritur nga Njegushi i Cetinjës. Me lahutë në dorë dhe kapicën malazeze mbi vetull, më shumë për rivalitet se sa për të kënduar, ia tha strofës tjetër.
Zërat e lahutarëve serbë e malazezë, vërshuan në secilin shesh të kryeqytetit, derisa përgjatë rrugës dhe i humbur midis zërave të tyre, ecte rapsodi Feriz Krasniqi nga Llapusha e Kosovës. Ishte veshur me tirq të zi dhe plis të bardhë mbi vetull. Shtathollë e rrypan dhe me çifteli në dorë, e cila i jipte ndjesinë e pushkës, i papërmbajtur dhe me shpirt të trazuar, iu drejtua një grupi të rinjësh shqiptarë, të cilët i vështronin me habi lahutarët serbë, të cilët ishin shfaqur si të ishin mbirë nga toka.
– Çiftelitë, ku i keni çiftelitë o djem?!, – pyeti rapsodi Feriz Krasniqi dhe saora zuri vend nën blirin në cep të rrugës. Pasi shtrëngoi telat e qiftelisë, nisi njërën nga këngët më të dashura epike të tij:
Moj Kosovë lum na për ty
Vend i bukur tuj u përtri
Kurrë s’tkanë lanë me qu kry
T’ka shkel mbret, t’ka shkelë krajli…
Turmat e njerëzve sa vinin e shtoheshin rrugëve e shesheve në qytetet e Kosovës.
Zejnepja, gruaja e Sytki Tyrbedarit, e cila një dreq e di pse zgjohej çdo mëngjes para se të zbardhte drita, shihte trumba sorrash, të cilat përveç që mbushnin çatitë e shtëpive, kacavireshin edhe mbi telat e telefonave në shtyllat e gjata dhe të zeza. Thuhej se sa herë është shtuar prania e tyre, në Kosovë paralajmërohej e keqja.
– Do të ketë luftë, do të ketë luftë!, – klithte Zejnepja, derisa me hapa të shpejtë përvijonte rrugicat e ngushta të Prishtinës.
* Sinopsis nga eseu im i gjatë “Fituesit e betejës së humbur”.
