Egnatia mposht thellë Vllazninë dhe fiton titullin në Shqipëri
Klubi nga Rrogozhina, Egnatia, ka fituar titullin kampion në Abissnet Superiore për sezonin 2024/2025, pas një fitore të thellë 4-0 ndaj Vllaznisë së Shkodrës në finalen e zhvilluar mbrëmjen e së hënës në “Arena Kombëtare”.
Dominimi i Egnatias ka qenë i dukshëm që nga minutat e para të ndeshjes. Lushkja e ka hapur serinë e golave në minutën e gjashtë dhe më pas ka shënuar edhe golin e dytë personal në minutën e dyzet e nëntë.
Më pas Leo Melo (83′) dhe Ujka (90+4′) e kanë vulosur fitoren me nga një gol secili, duke e kthyer mbrëmjen finale në një festë për ekipin nga Rrogozhina.
Ky është titulli i dytë kampion në historinë e klubit Egnatia.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar skuadrën kampione dhe gjithë pjesëmarrësit në edicionin e sivjetshëm. “Përgëzime për fituesit dhe për të gjitha ekipet garuese, duke nisur nga Vllaznia finaliste e deri tek ekipi i fundit që garoi në Abissnet Superiore për të arritur objektivat e veta. Urime lojtarëve të Egnatias, stafit teknik, drejtuesve dhe tifozëve që ndoqën dhe mbështetën skuadrën e tyre në këtë rrugëtim të përmbyllur me trofe”, ka deklaruar Duka.
Ai gjithashtu ka shtuar se pret një përfaqësim dinjitoz nga ekipet shqiptare në arenën evropiane, si shpërblim për përpjekjet dhe punën e bërë gjatë gjithë sezonit.
