Presidentja Osmani nis më 15 maj konsultimet për konstituivin e Kuvendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të nisë më 15 maj një seri konsultimesh me përfaqësues të subjekteve politike në lidhje me procesin e konstituivit të Kuvendit të ri pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.

Këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina, ka konfirmuar për RTK-në se ftesat për takimet e para tashmë janë dërguar dhe se aktualisht janë duke pritur konfirmimet nga përfaqësuesit politikë.

“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, ka theksuar Kupina në një përgjigje me shkrim për RTK-në.

Disa nga krerët e partive politike e kanë parë të domosdoshme përfshirjen e presidentes Osmani në tejkalimin e bllokadës për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, pasi as pas 14 përpjekjesh kuvendi nuk ka arritur të finalizojë konstituimin e kësaj legjislature.


Go to TOP