Mevlan Zeka shpallet “Ylli i Javës” pas hat-trick-ut ndaj Llapit

Mevlan Zeka, sulmues i FC Suhareka, është shpallur “Ylli i Javës” në xhiron e 34-t të Superligës së Kosovës në futboll, pasi realizoi një paraqitje të jashtëzakonshme në fitoren 4:2 kundër Llapit, duke shënuar tre gola.

Pasi mori këtë çmim, Zeka u shpreh i lumtur për vlerësimin dhe theksoi përkushtimin e tij dhe të gjithë ekipit për të mbajtur Suharekën në elitën e futbollit kosovar: “Kemi pasur vështirësi gjatë kampionatit, sidomos në ndeshjet e fundit, ku kishim krizë me rezultatet. Kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira, por epilogu shpeshherë ka qenë kundër nesh. Jemi mobilizuar maksimalisht që Suhareka të qëndrojë në Superligë, sepse brenda skuadrës sonë ka futbollistë me përvojë, kampionë të mëparshëm, që nuk e meritojnë të bien nga elita”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

Zeka tha se beson te qëndrimi në Superligë përmes ndeshjes së barazhit dhe premtoi angazhim maksimal: “I kemi edhe dy ndeshje dhe normalisht që do ta japim maksimumin. Falënderoj komisionin për këtë vlerësim, po ashtu edhe bashkëlojtarët, pa të cilët nuk do të isha golashënuesi i skuadrës. Një falënderim i veçantë edhe për kryesinë e klubit dhe stafin teknik, me në krye trajnerin Mirel Joca”, shtoi ai. /Kosova.info/

Go to TOP