Termokos prezanton projektin Solar4Kosovo – Solar DH II: Rrjeti i ngrohjes së gjelbër zgjeron kapacitetet në disa lagje të Prishtinës
Kryeshefi ekzekutiv i Termokos, Fisnik Osmani, ka njoftuar për një prezantim publik informues lidhur me projektin e ri të energjisë së pastër Solar4Kosovo – Solar DH II, që do të mbahet më 16 maj 2025, në ora 10:00, në ndërtesën e Komunës së Vjetër në Prishtinë.
Projekti synon instalimin e një sistemi diellor termal për ngrohjen e ujit duke përfshirë panele diellore dhe një depozitë për ujë të ngrohtë, si pjesë e përpjekjeve për ta kthyer Prishtinën në një qytet më të gjelbër dhe energjetikisht të qëndrueshëm.
Gjatë prezantimit, do të diskutohet master plani i zgjerimit të rrjetit të ngrohjes, ku do të përfshihen këto lagje të kryeqytetit: Kalabria + Kalabria Dardha,Prishtina e Vjetër, Gjinaj Jug, Mahalla e Muhaxherëve, Tophane dhe Lakrishte.
Osmani ftoi të gjithë qytetarët që jetojnë në këto zona të marrin pjesë duke theksuar se pjesëmarrja e tyre është e rëndësishme për të informuar dhe bashkëvendosur për një të ardhme më të gjelbër.
“Termokos, po i jep kuptim Prishtinës së Gjelbër,” thuhet në njoftimin zyrtar duke reflektuar përkushtimin institucional për zhvillim të qëndrueshëm urban. /Kosova.info/
