LDK dhe deputetë mbështetës dorëzojnë kërkesë në ZRrE për anulimin e vendimit që rrit çmimin e energjisë elektrike
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), së bashku me deputetë të tjerë mbështetës, ka dorëzuar sot zyrtarisht një kërkesë në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE) duke kërkuar anulimin ose shtyrjen e vendimit që largon mbi 1300 biznese nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike, si dhe vendimin për rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë.
Kërkesa, e dorëzuar nga Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, dhe anëtari i kryesisë Visar Azemi, është nënshkruar nga 30 deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe përmban katër pika kryesore:
1. Anulimi ose shtyrja e vendimit për së paku një vit, për të mundësuar një liberalizim të drejtë dhe përgatitjen e bizneseve;
2. Zbatimi i konsultimeve publike dhe transparente për çdo vendim me ndikim të madh, përfshirë tarifat energjetike;
3. Dorëzimi i një analize të plotë në Kuvend menjëherë pas konstituivit të tij dhe
4. Anulimi i rritjes së çmimit të energjisë për familjet, me angazhimin për të gjetur alternativa që nuk rëndojnë qytetarët.
Deputetët theksojnë se një vendim i tillë, në mungesë të një tregu të funksionalizuar dhe konkurrues, është i dëmshëm për ekonominë dhe përbën shkelje të interesit publik.
LDK e ka cilësuar këtë hap si të domosdoshëm për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe bizneseve në një periudhë të ndjeshme socio-ekonomike. Gjithashtu, subjekti ka paralajmëruar veprime të tjera institucionale menjëherë pas themelimit të institucioneve të reja, të cilat, sipas saj, janë bllokuar nga Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë. /Kosova.info/
