Muharremi : LDK po injoron Mitrovicën, kjo sjellje po i kushton rritjes së partisë

Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar qasjen e LDK-së ndaj Mitrovicës, pas ceremonisë së 35-vjetorit të themelimit të Degës së kësaj partie në këtë qytet. Në një reagim publik, ai ka vënë në dukje mungesën e menaxhmentit qendror të partisë në këtë ngjarje duke e krahasuar me pjesëmarrjen më të lartë të zyrtarëve të LDK-së në Ferizaj në një aktivitet të ngjashëm.

“Nuk ishte prezent askush nga kryesia qendrore, përveç kryetarit të Pejës. Por Mitrovica nuk është nëndegë e Pejës dhe nuk duhet të trajtohet si e tillë,” shkroi Muharremi.

Ai paralajmëron se kjo mungesë angazhimi mund të dëmtojë seriozisht perspektivën e partisë në atë pjesë të vendit. Sipas tij, LDK ka nevojë për rritje të përkrahjes pikërisht në rajonet ku është më e dobët si Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj e Drenasi.

“LDK nuk ka për t’u rritur në atë pjesë të vendit nëse vazhdon të injorohet nga kryesia dhe kryetari. Duhet krejtësisht e kundërta: angazhim direkt, intensiv dhe sistematik,” shtoi ai.

Muharremi thekson se pa një strategji të qartë për këto zona, rritja e partisë do të mbetet e kufizuar dhe e pamundur në përballje me konkurrentët politikë. “Rritja nuk bie nga qielli. Duhet të ndërtohet duke punuar aty ku je më i dobët,” përfundon ai. /Kosova.info/


Go to TOP