Qyteti ynë i Klinës, nga dita e martë, kundërmon nga era e pistë e kanalizimeve

Shkruan: Lekë MRIJAJ

Që nga dita e martë, qyteti ynë i Klinës është përfshirë nga një erë kundërmuese dhe te padurueshme dhe e rëndë që vjen nga rrjeti i kanalizimeve, duke i kthyer rrugët e përditshme në burim shqetësimi serioz për qytetarët. Zona më e prekur duket të jetë aksi rrugor i qytetit kryesor që shpie nga ndërtesa e Komunës drejt Postës së qytetit, një segment ky i rëndësishëm i infrastrukturës urbane, që kalon pranë ish-Shtëpisë së Shëndetit në Klinë, e që besohet të jetë edhe epiqendra e kësaj ndotjeje.

Problemi, për fat të keq, nuk mbaron këtu. Kundërmimi është përhapur edhe përgjatë bregut të lumit Klina, nga ura e Prizrenit deri te stadiumi i qytetit, duke e bërë këtë pjesë jo vetëm të pakalueshme për shkak të erës, por edhe potencialisht të rrezikshme për shëndetin publik. Banorët që jetojnë apo kalojnë çdo ditë në këto pjesë janë të indinjuar nga mungesa e reagimit institucional dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet komunale dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit.

“Është e pakuptimtë që në shekullin XXI një qytet si Klina të kundërmojë në këtë mënyrë. Nuk bëhet fjalë vetëm për erën, por për rrezikun e ndonjë epidemie,” shprehen qytetarët, të cilët tashmë po shmangin këto rrugë, ndonëse janë ndër më të frekuentuarat.

Duke qenë se afër këtyre rrugëve ndodhen institucione publike dhe zona të banuara, kjo situatë nuk mund të neglizhohet më. Autoritetet kompetente duhet të ndërhyjnë sa më parë. Mungesa e mirëmbajtjes së kanalizimeve, shtimi i ndërtimeve pa infrastrukturë të përshtatshme dhe mospërgjegjësia institucionale janë faktorë që po e përkeqësojnë gjendjen.

Klina dhe qytetarët e saj nuk e meritojnë të përfliten për erë të keqe, por për trashëgimi kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm. Kjo kronikë është një thirrje publike që institucionet të zgjohen nga gjumi dhe që dikasteri përkatës të veprojë menjëherë.


Go to TOP