Operacion në Fushë Kosovë: Mbyllen dy laboratorë të rrezikshëm për shëndetin publik, arrestohen pronarët

Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një operacion të gjerë hetimor në qytetin e Fushë Kosovës duke mbyllur dy laboratorë të analizave biokimike që dyshohet se operonin jashtë standardeve ligjore dhe në kundërshtim me rregulloret shëndetësore duke rrezikuar seriozisht shëndetin publik.

Operacioni u udhëhoq nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor dhe u krye nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Hetimet kishin filluar pas pranimit të informatave që ngritën dyshime për veprimtari të paligjshme në këto laboratorë, përfshirë kryerjen e analizave pa praninë e personelit të licencuar.

Gjatë bastisjeve janë konstatuar një sërë shkeljesh të rënda të dispozitave ligjore, që çuan në mbylljen e menjëhershme të laboratorëve. Në vendngjarje janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumente të ndryshme, një vulë dhe prova të tjera materiale që mbështesin hetimet në vazhdim.

Dy pronarët e laboratorëve janë arrestuar dhe ndodhen nën masën e ndalimit me urdhër të prokurorisë kompetente. Organet e drejtësisë kanë paralajmëruar se hetimet do të vazhdojnë me intensitet, për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të ndjekur penalisht të gjithë përgjegjësit.

Autoritetet ftojnë qytetarët që të jenë të kujdesshëm në përzgjedhjen e shërbimeve shëndetësore dhe t’i raportojnë rastet e dyshimta pranë institucioneve përkatëse, për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të komunitetit. /Kosova.info/


Go to TOP