Berisha: Letra e Kurtit është pranim i humbjes politike
Visar Berisha, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka deklaruar se letra e dërguar nga Kryeministri Albin Kurti për kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, është një pranim i qartë i humbjes në betejën politike.
“Nëpërmjet kësaj letre, Kurti ka pranuar se nuk ka më as fuqinë dhe as zgjidhjen për situatën aktuale politike. Është një konfirmim që ditët e tij më të mira si lider kanë përfunduar,” tha Berisha duke shtuar se ky ishte pikërisht qëllimi opozitar i katër viteve të fundit – shembja e projektit politik të Vetëvendosjes.
Berisha theksoi se tashmë, për të mbyllur përfundimisht ciklin e kësaj qeverisjeje dhe për të hapur një kapitull të ri shpresëdhënës për vendin, LDK ka propozuar formimin e një Qeverie Tranzitore. Kjo qeveri do të ketë një program të qartë dhe kohëzgjatje të përcaktuar duke synuar kapërcimin institucional të krizës dhe përgatitjen për zgjedhje të lira e të ndershme.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kritik për skenën politike në Kosovë, ku kërkesat për ndryshim po shtohen në prag të përfundimit të mandatit qeverisës. /Kosova.info/
